Një gjë e tillë raportohet nga disa media, që i referohen informacioneve operative, se grupe që kanë lidhje me atë të Kumanovës, planifikojnë aksione hakmarrëse ose rrëmbime, që pastaj t’i shkëmbejnë me një pjesë të të burgosurve.
Është përcjellë edhe qëndrimi i MPB’së se policia po monitoron situatën dhe po ndërmerr të gjitha masat parandaluese.
Alsat M u përpoq të marrë vesh diçka edhe nga ana tjetër. Sipas informatave jozyrtare, në lidhje me kërcënimet, Agjencia e inteligjencës është informuar nga ana e shërbimeve mike. Zyrtarisht, kërkuam qëndrim edhe nga Agjencia e inteligjencës mbi pyetjet: nëse kanë indikacione mbi kërcënimin, a kanë lëshuar paralajmërim për të, si dhe në qoftë se kanë bashkëpunim me shërbimet mike mbi çështjen. Përgjigje nuk na mbërriti.
Por gjithashtu nga burime jozyrtare, Alsat M mëson se Agjencia e Inteligjencës është informuar dhe se punonjësit e saj ose një punonjës, janë përfshirë në ngjarjet e Kumanovës. Kjo informatë është dhënë nga një vend fqinj, dhe në të është theksuar personi SH.M. i Agjencisë, identiteti i të cilit ishte publikuar nga disa media.